Raporti Komisionit Europian për Shqipërinë: Investimet po ngadalësohen

Premte, 12 October 2018 15:57

Komisioni Europian, në raportin e tremujorit të tretë për ecurinë e vendeve kandidate dhe potenciale kandidate ka bërë një analizë të ecurisë së ekonomisë shqiptare, ku ka konstatuar se investimet po ngadalësohen, duke reflektuar përfundimin e projekteve të mëdha energjetike. Ndërsa rritja në pjesën e parë të vitit u nxit nga prodhimi i energjisë dhe industria përpunuese.

Sipas raportit, PBB-ja reale në Shqipëri u rrit me 4.3% me bazë vjetore në tremujorin e dytë pasi u rrit me 4.5% në tre muajt e parë. Nga ana e kërkesës, rritja ishte kryesisht e nxitur nga konsumi i ekonomisë familjare, i cili e përforcoi ecurinë e saj të qëndrueshme në 3.3% në vit, mbështetur nga rritja e punësimit, inflacioni i moderuar dhe normat e ulëta të interesit. Formimi i kapitalit fiks, i cili ende përfitoi nga investimet e huaja direkte në sektorin energjetik në tremujorin e parë, u ngadalësua në 1.5% (rritje vjetore) nga 4.5%, që ishte në tremujorin e parë.

Në të kundërt, konsumi qeveritar në tremujorin e dytë u tkurr me 3.4% me bazë vjetore. Eksportet e mallrave dhe shërbimeve vazhduan rimëkëmbjen e tyre në tremujorin e dytë me 3.9% ndërsa importet e mallrave dhe shërbimeve u rritën më ngadalë me 2% me bazë vjetore.

Eksportet kanë rritur peshën në prodhimin e brendshëm bruto në 34.1%, ndërkohë që importet kanë rënë pak, por mbeten në nivelin e tyre të ngritur prej pothuajse 50% të PBB-së. Nga ana e ofertës, prodhimi i energjisë dhe industria përpunuese kontribuoi në mënyrë të konsiderueshme në rritjen e ekonomisë në periudhën e deritanishme të 2018-s. Ndërtimi u ngadalësua, po ashtu edhe sektori i shërbimeve, kryesisht për shkak të bazës së lartë krahasuese, ndërkohë që të dy sektorët vazhduan të kontribuonin pozitivisht në ecurinë ekonomike.

Ndonëse rritja e punësimit u ngadalësua, norma e papunësisë vijoi rënien, duke arritur në 12.9%, më i ulëti nga viti 2012. Edhe papunësia tek të rinjtë vijoi rënien, nga 34% në 2015-n, në 22.6%, ndonëse mbetet në nivele të larta. Pagat e sektorit privat u rritën në shumë segmente, ndërsa rritja e pagës së sektorit publik i ngadalësua në 0.2%, pas rritjes së fortë në 2017 dhe tremujorin e parë 2018.

Deficiti i llogarisë korente u ngushtua në 7% të PBB-së, nga 7.9% në tremujorin e parë, për shkak të ngadalësimit të importeve dhe rritjes së eksporteve.

Huadhënia në sektorin privat mbetet e dobët, si rrjedhojë e kërkesës së ulët dhe shtrëngimit ë kushteve të kredive nga bankat huatë me probleme u ulën, por me ritme më të ngadalta se në 2017-n, duke zbritur në 12.9% në gusht.

Sistemi bankar po konsolidohet me dy bashkime që përfunduan në 2018 dhe numri i bankave nga 16 u reduktua në 4. Ekspozimi i sistemit bankar ndaj Turqisë është i ulët, me vetëm 6.6% të aseteve që janë të lidhura me kompanitë turke.

Të ardhurat buxhetore u rritën me 3.1 me bazë vjetore për 8 mujorin dhe u ndikuan negativisht nga zhvlerësimi i euros, sidomos TVSh dhe të ardhurat doganore. Të ardhurat e ulëta nga TVSh dhe doganat u kompensuan nga të hyrat më të larta të sigurimeve shoqërore.

Borxhi publik ra në 69.3 % të PBB-së në fund të qershorit, nga 70% që ishte në fund të 2017-s.

Rritja në Ballkanin Perëndimor u përshpejtua

Sipas raportit, rritja ekonomike u përshpejtua në shumicën e vendeve të Ballkanit Perëndimor në tremujorin e dytë të 2018, duke vijuar një trend që filloi në fillim të vitit 2017. Republika ish-Jugosllave e Maqedonisë regjistroi përshpejtimin më të lartë të rritjes vjetore të PBB-së, në 3.1%, nga 0.1% e ngadaltë e tremujorit të parë, mbështetur nga rritja e eksporteve. Në Bosnjë dhe Hercegovinë ekonomia u zgjerua me 3.4%, me eksportet dhe konsumin privat që përshpejtuan këtë rritje. Në Mal të Zi dhe Kosovë

rritja u forcua në 4.9% dhe 4.7% , respektivisht. Në të dy rastet, zgjerimi ekonomik përfshinte të gjithë komponentët e kërkesës së brendshme (sidomos investimet) duke kontribuar pozitivisht në rritje.

Në anën tjetër, në Serbi dhe Shqipëri, rritja ekonomike u ngadalësua pak për të dytin tremujor, 4.8% dhe 4.3%, respektivisht. Në Serbi, rritja ekonomike është nxitur nga të gjithë komponentët e kërkesave të brendshme ndërsa performanca e rritjes ekonomike të Shqipërisë u mbështet kryesisht në rritjen e konsumit të familjeve. Në përgjithësi, në tremujorin e dytë të vitit 2018, PBB-ja e rajonit të Ballkanit Perëndimor arriti në 4.3%, nga 3.6% në të tremujorin e parë dhe 1.9% në tremujorin e njëjtë të një viti më parë.

 

Lini komentin tuaj!

Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me fshirjen e komentit tuaj.

Lajmet e fundit

"Babi do arkëtojë 500 mijë euro", përgjimet për anëtarin e rrjetit të drogës Hajri Seferi

Aktualitet

"Babi do arkëtojë 500 mijë euro", përgjimet për anëtarin e rrjetit të drogës Hajri Seferi

Në dosjen voluminoze të Prokurorisë për grupet kriminale në vend të goditura nga operacioni "Volvo 4", rezulton që shtetasi Hajri Seferi, ndërmjetës midis grupit kriminal të "Avdylajve" në Shijak dhe...

Hamburgun e kap mallkimi i Mavrajt, e pëson edhe trajneri

Sport

Hamburgun e kap mallkimi i Mavrajt, e pëson edhe trajneri

Hamburgu nuk po kalon një moment të mirë as në Bundesligën 2, duke qenë se rezultatet janë zhgënjyese dhe në klub ka hyrë frika e nj dështimi të mundshëm nga...

Gjyqtari valltar bëhet hit në internet

Sport

Gjyqtari valltar bëhet hit në internet

Një gjyqtar anësor është bërë hit në internet pasi teksa drejtonte takimin ka shfrytëzuar kohën edhe për vallëzim. Tifozët këndonin dhe këngët e tyre i shfrytëzoi anësori që vallëzonte për të...

Sondazh

Nothing found!

Sondazh

Nothing found!