Dy dekada më parë, kur komunizmi në mbarë Europën dhe në Shqipëri po përmbysej si sistem, të gjithë duhej të kuptonim domethënien e fjalëve të Presidentit Kenedi, shqiptuar në fillim të viteve 60 parë publikut të Berlinit Perëndimor, se “Liria përballet me shumë vështirësi”. Në këtë kontekst, ndoshta pakkush do të mendonte se rruga drejt demokracisë do të ishte kaq e vështirë. Komunizmi kishte vdekur por hija e tij, si lugat i neveritshëm endej kudo nëpër Europë dhe në Shqipëri në përpjekje që t’i bënte gjëmën demokracisë. Me të vertetë se komunizmi mbetet gjithnjë dhe vazhdimisht armiku më i egër i demokracisë dhe bashkëjetesa në simbiozë është e pamundur. Pa shkuar shumë larg në kohë, vetëm pak ditë pas zgjedhjeve të 28 Qeshorit, me 4 Korrik, Gramoz Ruçi do të shfaqej në Fier si lugati komunist dhe do të kërcënonte demokracinë se “do të kaloni vetëm mbi trupat tanë” në përpjekje për të provokuar situata të ngjashme me vitin 1997. I njëjti njeri dhe e njëjta shprehje si në vitin 1991 kur në krye të shoqatave të Enverit kërcënonte nga Tepelena demokratët se “do të kaloni vetëm mbi trupat tanë”. I njëjti mbeti edhe në vitin 1997, në organizimin e falangave komuniste të ish-sigurimit komunist që përmbysën qeverinë demokratike dhe i vunë flakën Shqipërisë. Shumë kohë e humbur për vendin, në rrugën drejt bashkimit me familjen europiane. Nëse në atë kohë Shqipëria ishte gati të firmoste me Europën marrëveshjen e stabilizim-asociimit, tani do të plotësonte kushtet për të firmosur kandidaturën e anëtarësimit të plotë.
Por përsëri lugati komunist do të shfaqej brenda në Parlamentin e Shqipërisë. Opinioni kombëtar dhe ndërkombëtar mbeti mjaft i habitur kur me thyerjen e bojkotit dhe hyrjen në Parlament, Partia Socialiste nuk kishte njeri tjetër por zgjodhi Gramoz Ruçin, ish-Ministrin e sigurimit komunist si kryetar të deputetëve. Duke marrë shumë shpejt rolin e një kllouni cirku, në fjalimet e tij plot sulme me shpifje kundër demokracisë, ish-krimineli i regjimit komunist vërtiste ndër duar disa copa kartash, teksa i quante “karta identiteti të falsifikuara në zgjedhjet e 28 Qeshorit”. Vetën një qenie me ndërgjegjen si gjarpër, mundet të kafshonte trupin e Atdheut në mënyrë kaq mizore, në momentin më kulmor, kur shqiptarët po shpresojnë të marrin “okej”-in nga Europa për lëvizjen e lirë. Duke demonstruar gënjeshtra të tilla në foltoren e Parlamentit, Gramoz Ruçi po përpiqej publikisht të sabotonte jo vetëm lëvizjen e lirë, por edhe proceset integruese në përgjithsi. Në vëndet si Shqipëria me një demokraci të brishtë, ku komunizmi ka bërë kërdinë për afro një gjysmë shekulli, reminishencat e këtij regjimi mbeten një rrezik serioz. Revanshi që kanë marrë sot ish-kriminelët e diktaturës dhe riciklimi në politikë i pinjojve të brezit të dytë në përpjekje të realizimit të idesë enveriste “të vazhdimsisë komuniste” përbën problemin themelor të funksionimit të demokracisë. Në praktikën e vendeve të tjera ish-komuniste është provuar katërcipërisht fakti se pa hapjen e dosjeve të ish-sigurimit, demokracia do të mbetet vazhdimisht e kërcënuar. Dosjet që duhen hapur me siguri do të hedhin dritë mbi krimet e diktaturës. Sipas të dhënave që ka Instituti per integrimin e ish-të Përndjekurve politikë, sot janë më shumë se 4000 të pushkatuar me ose pa gjyq nga regjimi komunist që nuk u gjenden akoma varret dhe me hapjen e dosjeve dhe detyrimin ligjorë që rrjedh, do të duhet t’i detyrojmë ish-kriminelët, që akoma jetojnë, që t’i tregojnë vendndodhjet e varreve.
Shqipëria konsiderohet si rast i veçantë i barbarisë komuniste, prandaj me hapjen e dosjeve do të ishte akoma më spektakolar rezultati i bashkëpunimit të elitës politike sidomos në të majtën politike dhe lidhjet e saj me ish-Sigurimin. Edhe kundërshtimi kategorik i të majtës ish-komuniste për implementimin e këtij ligji mbetet mjaft i lexueshëm si qellim për të fshehur sa të jetë e mundur të kaluarën kriminale. Por kjo sjellje s’mbulon dot shërbimin tek ish-Sigurimi të një njeriu si Edi Rama, i cili zbukuronte kopertinat e revistës “Ne shërbim të popullit” dhe survejonte hap pas hapi shokët e tij në skuadrën e basketbollit. Hapja e dosjeve do t’u jepte fund ngërçeve politike që provokohen nga e majta ish-komuniste, si ky që po përjetojmë, pas bojkotit për “hapjen e kutive”.
|  Komente |