Të jetosh pa punuar! Kush nuk do? Por kujdes mos e dëshironi shumë. Një studim i kohëve të fundit ka treguar se njerëzit që ia arrijnë këtij qëllimi vuajnë një përkeqësim të konsiderueshëm në aftësitë e tyre njohëse-konjitive. Një nga kërkesat më të vlerësuara të shoqërisë moderne është garancia e ofruar për ata që arrijnë një moshë të caktuar, ju mund të mbështeteni në një nivel të arsyeshëm të të ardhurave, pa pasur nevojë të punës. Kështu për konsekuencë, çfarë është një ëndërr për disa, për të tjerët është një e drejtë e garantuar me ligj. Nga kjo pikëpamje, vendet më të pasura të Perëndimit kanë përjetuar një revolucion të vërtetë. Për rreth një shekull, në SHBA dhe Europë, është verifikuar një rënie e vazhdueshme e pjesëmarrjes në tregun e punës nga ana meshkujve mbi 65 vjeç. Përshembull, në fund të shekullit XVIII, në SHBA, 75% e meshkujve mbi 65 vjeç punonte akoma. Rreth vitit 1990, kjo përqindje ishte reduktuar në 16 %. Dhe trende te njëjta përsëriten në Evropë. Një tjetër tendencë e gjerë deri kohët e fundit ishte presioni për uljen e moshës së pensionit. Në Greqinë e trazuar, për shembull, ajo është vetëm 61 vjeç. Në Gjermani është 67, ç’ka shpjegon pjesërisht ngurrimin e gjermanëve për të subvencionuar shpëtimin e Greqisë me taksat e tyre. Kriza financiare globale do të detyrojë një ndryshim të këtyre tendencave. Për shumë vende të tilla si Greqia, sfida për të mos rritur moshën e daljes në pension do të bëhet e papërballueshme ekonomikisht. Surpriza është se një nga efektet e papritura të këtyre vendimeve mund të jetë pashmangshmërisht përmirësimi i aftësisë “konjitive” të popullsisë mbi 60 vjet. Ky është edhe një nga rezultatet e theksuara në kërkimin shkencor të botuar në revistën “Journal of Economic Literature” nga studiuesit Susan Rohwedder Rand dhe Robert Willis të Universitetit të Miçiganit. Dy ekspertët kanë realizuar studime analitike e statistikore në përpjekje për të testuar besimin e përbashkët se "muskuli që nuk përdoret atrofizohet”, mund të zbatohet edhe në tru, paçka se nuk kemi të bëjmë formalisht me një muskul. Gjithsesi, studimi fillon duke pohuar se nuk ka asnjë provë shkencore që konfirmon se "ushtrimeve mendore" të përditshme si fjalëkryqi, sudoku, lojës me letra apo video lojëra dhe aktivitete të tjera të ngjashme, mund të parandalojnë uljen e aftësisë “njohëse” që vjen me procesin e plakjes. Kurse puna, po. Autorët e kanë arritur këtë konkluzion duke u bazuar mbi analizën e të dhënave statistikore dhe rezultateve të testeve psikologjike të kryera mbi një kampion të individëve me më shumë se 60 vjeç në SHBA, Britani të Madhe dhe 11 vende të tjera evropiane. Dëftehet se në vendet ku burrat punojnë deri në një moshë më të lartë se 60 vjeç, rezultatet e testeve njohëse janë substancialisht më të mirë sesa në vendet ku punonjësit mund të dalin në pension në një moshë më të ulët. Në vendet ku mosha e daljes në pension është më e lartë, siç është rasti i SHBA, Danimarkës, Suedisë apo Zvicrës, rezultatet e performancës “njohëse” janë dy herë ato të marra në vende si Franca, Austria, Belgjika dhe Holanda, ku dalin më herët në pension. Italia dhe Spanja zënë një pozicion të ndërmjetëm midis këtyre dy ekstremeve. Studiuesit Rohwedder dhe Willis nuk kanë krahasuar vetëm vendet me moshë të ndryshme të daljes në pension, por gjithashtu kanë analizuar rezultatet e testeve “njohëse”, të individëve të të njëjtit vend e moshë, të cilët janë tashmë në pension, por ende punojnë. Dhe kanë zbuluar se pensionistët (ose më mirë ato që e kanë ndalur punën në këmbim të një pagese) janë të karakterizuar nga rezultate nën 20% më poshtë sesa shokët e tyre të cilët punojnë. Mirëpo kjo nuk do të thotë se të dalësh në pension është një vendim i keq, ose të vazhdosh të punosh paraqet zgjedhje të mirë. Për shumë prej tyre nuk është edhe një vendim, por një zgjedhje e detyruar nga realiteti i gjërave. Situata ekonomike dhe politike e çdo vendi do të ndikojë në zgjedhjet e tyre, si individë që kanë kursime, që kujdesen për fëmijët, që kanë probleme shëndeti, për personalitetin e tyre apo edhe për faktorë të tjerë që ndikojnë në marrjen e këtyre vendimeve. Por padyshim, ka shumë syresh të cilët do të jenë të gatshëm të paguajnë çmimin e aftësisë së tyre “njohëse”, për të mos punuar. Unë jam një prej tyre.
...|  Komente |