Angjelin Prelocaj, ky gjeni i artit, nga padijet tona për shkak të mbylljes së gjatë, do të kishte mbetur jashtë “protokollit” dokumentar, sikur të mos kishte folur Ismail Kadare. Atëherë, shkrimtari i shquar sapo qe kthyer, qysh nga arratisja e bujshme dhe shpallja nga shteti komunist, si i rreshtuar në anën e armiqëve të kombit, me një publikim në “Zëri i popullit”. Bashkë me Mehmet Elezin, i shkuam për vizitë në shtëpi. Duke biseduar rreth kësaj teme, në një çast ai tha se, në Paris jetojnë dy gjeni shqiptarë të artit: koreografi dhe baletmaestri Angjelin Prelocaj dhe aktori i madh i komedisë franceze Rexhep Mitrovica. “Kur jep shfaqje Angjelin Prelocaj, shkulet Parisi për ta parë”, tha Kadare.
Nxitur nga kjo, pas disa ditësh, u bë përpjekja e radhës për t’i gjallëruar idetë që ngacmuam. Por, sa ngriheshin me entuziazëm, përsëri përpara përplaseshin faturat. Flaka e mendimeve fashitej deri në shuarje, pa lënë as gjurmë hiri. Ishte gati e parrokshme administrativisht dhe zemëruese profesionalisht, sa shpejt formoheshin grupet e xhirimit, si përgatitej dokumentacioni sipas rregullave, si gjendej mbështetja financiare, brenda e jashtë vendit, për emisione të rëndomtë, me vlera të diskutueshme, edhe nga që objekti i zgjedhur për program, nuk jepte shtysë për kushedi se çfarë. Ato, më së miri, qenë telereportazhe - reklamë që, ndonjëherë, të transmetuara edhe me satelit, thjesht, bënin të njohur qiramarrësin e lokalit, vinin si britmë për klientë, nga ku nxirreshin edhe shpenzimet e kryera për xhirime.
Kur po dështonte edhe dokumentari Prelocaj, sepse asnjë nuk u afrua të ndihmojë, fatmirësisht dhe për rastësi, ishte vet Angjelini që nuk lejoi dështimin. Ai u kthye, për herë të parë, në Shqipëri, i burrëruar dhe i famshëm. Ishte arratisur nga Vermoshi ende i palindur, ose më saktë, qe arratisur në barkun e nënës së vet shtatëzënë.
Kësisoj, deri diku, gjithçka u thjeshtua. Vendosëm të xhirojmë Prelocajn në dy pjesë. E para, në Shqipëri. Më vonë, mbase krijoheshin mundësitë, për të filmuar pjesën e dytë: Prelocaj në Francë. Në një kohë të mëpasme, duke menduar e punuar me nge, të bashkoheshin me art, të dy pjesët në një, për të krijuar një vepër të vetme.
Sidoqoftë, Prelocaj ose “Kushëriri i Ëngjejve”, siç e ka quajtur Kadare, gjatë rrekjes sonë për të bërë diçka, u shfaq “Ëngjëll Shpëtues” dhe, aq sa u bë, mbeti çdo gjë. Kryem dy punë: ndërkohë që operatori xhironte, nga Ministria e Mbrojtjes u mor një helikopter, për të shkuar me Prelocajn në Vermosh.
Zbritja e tij nga qielli, m’u në zemër të Alpeve, në livadhet me plot bar të Lëpushës mahnitëse, ngjitur me Qafën e Bordolecit dhe afër fshatit të Vermoshit, qe ndjenjë e përzishme, vështrim mjegullues, futje në ëndërr. Ashtu edhe filmimet, të mbushura jezer bjeshkësh, mërmëritje ujërash, fllad grykash, përlotje njerëzish të një gjaku, se shiheshin e merreshin ngryk, së pari e përmallshëm, belbëzonin dygjuhësh - shqip dhe frëngjisht. Skenografi e kthimit të artistit të madh ishin Bjeshkët e Nëmuna, të çuditshme si kërcimet në baletet e tij.
Ai nuk qe dokumentar. Ishte poezi me film.
Por nuk u gjendën para për Prelocajn në Francë, që përbënte mungesën qenësore. Arti dhe fama e tij gjenden atje. Nuk u bënë dot “Dy Prelocaj”, për të pasur “Një Angjelin”, domethënë e tërë jeta e madhe e “Kushëririt të Ëngjëjve”, në kryeqytetin e kulturës botërore - Paris.
|  Komente |