Fondi Monetar Ndërkombëtar vlerëson se ekonomia shqiptare arriti t’i bëjë ballë presionit të egër të krizës ekonomike të vitit 2009-të ndërsa nuk kurseu të deklarojë se sfidë mbetet edhe 2010-ta. Shefi i FMN-së, për Shqipërinë Gerëin Bell, u shpreh gjatë një konference për shtyp me ministrin e Financave Ridvan Bode dhe Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani se rritja ekonomike për vitin 2009 në Shqipëri ka qënë 3%, kurse inflacioni ka qënë në rritje, përtej normës 3%. Për vitin 2009, Bell tha se FMN evidentoi se pati një rënie të reflektuar tek remitancat dhe eksportet në vend. “FMN konstatoi se rritja ekonomike ishtë në shifrat e 3%, ndërkohë që inflacioni në rritje përtej normës 3%”, tha Bell. Bell theksoi se FMN parashikon që për vitin 2010 rritja ekonomike të jetë në shifrat 2-2.5%, ndërsa rritja potenciale e ekonomisë do të marrë vrull vetëm në vitin 2015. Lidhur me aspektin e rritjes ekonomike, Bell bëri disa sugjerime. “Ekonomia shqiptare duhet të kalojë nga huamarrja për konsum në zgjerim të burimeve prodhuese, rritje të eksporteve dhe zëvëndësim të importeve me eksporte. kjo ndihmon në klimën e biznesit dhe mbrojtje për investitorët”. Sa i përket sistemit bankar, FMN pasi e ka studiuar këtë sistemin shprehet se ka vërtetuar se po rriten sërish dërgesat e emigrantëve. “FMN evidentoi se sistemi banker gjatë krizës ekonomike hyri me rezerva dhe kapital të mjaftueshëm. Tani i duhet të përballojë e monitorojë situatën pasi rreziqe gjithmonë ka”. Kurse Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, (BSH) Ardian Fullani deklaroi se sipas BSH janë ruajtur ekuilibrat e brendshëm financiarë. “Inflacioni pati luhatje nga 2-3%, kurse rritja ekonomike u zbeh gjatë vitti 2009”. Sipas Fullanit për të përballuar krizën në banka gjatë vitit 2009 u frenua kreditimi. Ndërsa ministri i Financave, Ridvan Bode në emër të qeverisë përshëndeti FMN dhe i vlerësoi si ambicioze, sugjerimet e bëra nga ky Fond. Bode deklaroi se tanimë është koha që vendi t’i rikthehet stabilitetit makroekonomik.
...|  Komente |