Deklarata e plotë e deputetit Aldo Bumçi, kryetar i Komisionit parlamentar për Integrimin
Sot Komisioni i Integrimit të Parlamentit të Shqipërisë mori në shqyrtim rezolutën në mbështetje të procesit të liberalizimit të vizave, që do të miratohet ditën e enjte. Ne prisnim që deputetët e opozitës, të cilët kanë ardhur në Kuvend, kanë depozituar edhe emrat në komisionet përkatëse, të vinin në Komisionin e Integrimit, të merrnin kryesinë e këtij Komisioni siç është rënë dakord me opozitën dhe të bëheshin pjesë e kësaj resolute. Pavarësisht nga ky fakt, që nuk erdhën sot në shqyrtimin e rezolutës, ne u bëjmë thirrje, në ftojmë opozitën që të jetë e pranishme ditën e enjte në seancë plenare, ku do të miratohet rezoluta për procesin e liberalizimit të vizave. Ky nuk është një proces politik, nuk është një çështje politike, por është një çështje jetike për të gjithë qytetarët shqiptarë, qofshin këta të majtë, të djathtë, pa parti. Ne si komb kemi në kujtesën tonë historike izolimin më të thellë. Edhe gjatë këtyre 20 viteve qytetarët shqiptarë kanë hasur vështirësi për të udhëtuar jashtë, për të takuar fëmijët e tyre, të afërmit. Meqënëse kemi mbi një milionë shqiptarë që jetojnë në emigracion, lëvizja e lirë është jetike për kombin tonë. Në përkrahje të këtij procesi, në përkrahje të një pune kolosale që është bërë në përmbushje të kërkesave të udhërrëfyesit të Bashkimit Europian, Kuvendi i Shqipërisë do të miratojë një rezolutë. Ne ftojmë opozitën në shprehje të vullnetit të saj, të vijë të votojë rezolutën në Kuvend, duke treguar që është në përkrahje të këtij procesi jetik për qytetarët shqiptarë. Jam i bindur që duke bërë këtë, duke ndërmarrë këtë hap ditën e enjte, nuk do të bëjë asgjë tjetër përveçse do të përmbushë vullnetin e dhjetëra mijëra anëtarëve të Partisë Socialiste, vullnetin e dhjetëra mijëra votuesve të Partisë Socialiste.
...|  Komente |