LAJMET KRYESORE

Intervista/Krenarė se pėrmbushėm kushtet e BE-sė

10-03-2010 / Gazeta 55Intervista/Krenarė se pėrmbushėm kushtet e BE-sė

Ministri i Brendshëm Lulzim Basha, garanton se janë përmbushur të gjitha kriteret për heqjen e vizave dhe i kërkon opozitës të heqë dorë nga tentativa për zvarritjen e procesit


Ministri i Brendshëm Lulzim Basha, fton opozitën shqiptare, që të heqë dorë nga tentativa për zvarritjen e procesit të liberalizmi të vizave për shqiptarët dhe të bëhet pjesë e lëshimit të një sinjali të qartë ndaj BE-së, por edhe shqiptarëve, se në këtë pikë, politika shqiptare është e bashkuar. “Është e domosdoshme të shkundet çdo lloj përshtypjeje që mund të jetë lënë nga veprimet e disa prej eksponentëve të opozitës, se ata janë më të interesuar në zvarritje të këtij procesi, sesa në përfundimin me sukses të këtij procesi. Shpresoj që rezoluta e propozuar nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të enjten, të miratohet në konsensus të plotë nga të dyja grupet kryesore parlamentare, nga mazhoranca dhe nga opozita në tërësi, për t’u lëshuar një sinjal të qartë, në radhë të parë, qytetarëve shqiptarë dhe, në radhë të dytë, Brukselit, se të paktën në këtë çështje politika shqiptare është e bashkuar”, deklaroi midis të tjerave në një intervistë për Radion “Europa e Lirë”, Ministri i Brendshëm Luzim Basha. Duke folur për këtë proces, Ministri i Brendshëm, garantoi se, janë përmbushur kriteret për liberalizim vizash. “Deklaroj me bindje dhe përgjegjësi të plotë, se Shqipëria i ka plotësuar të gjitha kriteret që përshkruhen në udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave”, thotë midis të tjerave në intervistën e tij, ministri i Brendshëm shqiptar, Lulëzim Basha. Sipas Bashës, ky proces është në fazën e përgatitjes së raportit, nga ana e skuadrave ët inspektimit të Komisionit Europian, që kanë qenë dy herë në Shqipëri, në tre muaj. “Shpresojmë që raporti i Komisionit të jetë gati brenda mesit të prillit, që t’i lërë kohë të mjaftueshme Parlamentit Evropian dhe Komisionit Evropian për të përmbyllur procesin e vendimmarrjes brenda presidencës spanjolle”, shprehet i sigurt Ministri Basha. Kur po ngushtohen afatet drejt objektivit të shpallur të Qeverisë për lëvizje pa viza të qytetarëve shqiptarë, a janë plotësuar kushtet për liberalizim? Ne i qëndrojmë angazhimit tonë për një vendimmarrje brenda vitit të parë të mandatit tonë të dytë, që në fakt i bie shtatori. Por, nga ana tjetër, po i bëjmë të gjitha përpjekjet që ky proces të përshpejtohet sa më shumë. Kur them të gjitha përpjekjet, natyrisht përpjekja kryesore është që t’i përmbushim të gjitha kushtet. Në këtë drejtim, unë deklaroj me bindje të plotë dhe me përgjegjësi të plotë, se Shqipëria i ka plotësuar të gjitha kriteret që përshkruhen në udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave, që i është dorëzuar Shqipërisë. Nga ana tjetër, në një numër të madh fushash, siç është siguria e kufirit apo siguria e dokumenteve në instalimin e sistemeve, në trajnimin e personelit, në performancën e suksesshme të realizimit të proceseve të reja të kontrollit kufitar, të prodhimit të dokumenteve të sigurta, ne kemi vendosur dhe po implementojmë standarde të njëjta me ato të “Shengenit”, apo disa edhe më të përparuara, që sot praktikohen vetëm në një numër të kufizuar vendesh. Ju thoni se kriteret në tërësi janë përmbushur. Por, çfarë po e mban ende peng vendimmarrjen, pra konstatimin në terren nga ana e ekspertëve evropianë se vendi është gati për regjim pa viza? Mendoj se kjo situatë, pra situata kur ekspertët mund të konstatojnë që Shqipëria është gati, ekziston në Shqipëri që prej dy muajsh. Ajo që pritet, është përfundimi i procesit nga ana burokratike. Pra, pas deklarimit të Shqipërisë se është gati për inspektimin, ka ardhur skuadra e inspektimit në dhjetor dhe pastaj në shkurt. Këto skuadra ekspertësh po përgatisin raportet e tyre dhe këto raporte do të përbëjnë bazën e raportit që Komisioni ua shpërndan vendeve anëtare. Pastaj, vendet anëtare, në formën e Këshillit të ministrave të brendshëm dhe të drejtësisë, janë ato që marrin vendimin për adoptimin e të njëjtit vendim, siç kanë marrë edhe me tri vendet tjera. Për këtë arsye, ajo që Shqipëria po bën tani në forma të ndryshme, qoftë nëpërmjet aparatit diplomatik të Ministrisë së Jashtme, por edhe nëpërmjet aktorëve të tjerë në këtë proces, siç është Ministria e Brendshme, Ministria e Integrimit, nën lidershipin e kryeministrit, është një përpjekje në Bruksel për të mos vonuar procesin, e në veçanti ato hallkat e procesit që janë decisive tani, pra përgatitja e raportit nga ekspertët, përpilimi i raportit të përgjithshëm nga Komisioni dhe dërgimi i këtij raporti vendeve anëtare. Javën e kaluar kam qenë në Bruksel, ku jam takuar me tre ministra homologë, të cilët ndodheshin në Bruksel për takimin e ministrave të brendshëm dhe të drejtësisë, që mbahet atje pothuajse çdo muaj. Jam takuar gjithashtu me Këshillin për Ballkanin Perëndimor, që përbëhet nga përfaqësuesit e 27 vendeve anëtare në ambasadat e këtyre vendeve në Bruksel apo, të them më mirë, misionet e tyre pranë Bashkimit Evropian, si dhe me euro-parlamentarë. Gjatë këtyre takimeve, pasi kam bërë të ditur, bazuar në fakte dhe vetëm në fakte, stadin aktual të Shqipërisë në raport me kërkesat për heqjen e vizave, kam kërkuar në mënyrë të përsëritur që të mos ketë vonesa në këtë proces. Siç keni vënë re, ministeriali i ministrave të Punëve të Brendshme të rajonit i bëri një kërkesë të drejtpërdrejtë Bashkimit Evropian, që për Shqipërinë dhe Bosnjën të mos ketë vonesa në vendimmarrje. Pra, për mendimin tim, jemi thjesht në fazën e vendimmarrjes, që natyrisht është një kompetencë dhe një e drejtë e Bashkimit Evropian. Rezoluta e miratuar nga ministrat e brendshëm të rajonit, ishte e domosdoshme? A mund të lexohet si frikë për një shtyrje të vendimmarrjes për liberalizim për Bosnjën dhe Shqipërinë? Unë mund t’ju them se ajo që ne ndjejmë si Shqipëri, është se ne i kemi plotësuar detyrat tona. Dhe, pasi kemi plotësuar detyrat tona, u kërkojmë ekspertëve dhe Komisionit në veçanti që ta verifikojnë këtë dhe menjëherë, në formën dhe mënyrën siç kanë vepruar për tri vendet e tjera, këtë verifikim që quhet raport i Komisionit, t’ia përcjellin për vlerësim përfundimtar Këshillit të ministrave të Bashkimit Evropian. Dhe, kur e prisni raportin? Shpresojmë që raporti i Komisionit të jetë gati brenda mesit të prillit, që t’i lërë kohë të mjaftueshme Parlamentit Evropian dhe Komisionit Evropian për të përmbyllur procesin e vendimmarrjes brenda presidencës spanjolle. Liberalizimi i vizave është vlerësuar nga zyrtarët evropianë si proces tërësisht teknik. Por, a mund të ndikojë negativisht imazhi i vendit, nisur nga situata aspak e favorshme politike? Procesi është thellësisht teknik, por, natyrisht, vendimmarrësit janë njerëz, të cilët ndikohen nga perceptimet dhe nga imazhet, qoftë Këshilli i ministrave, qoftë euro-parlamentarët, dhe në këtë drejtim është e domosdoshme të shkundet çdo lloj përshtypjeje që mund të jetë lënë nga veprimet e disa prej eksponentëve të opozitës, se ata janë më të interesuar në zvarritje të këtij procesi, sesa në përfundimin me sukses të këtij procesi. Shpresoj që rezoluta e propozuar nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të enjten, të miratohet në konsensus të plotë nga të dyja grupet kryesore parlamentare, nga mazhoranca dhe nga opozita në tërësi, për t’u lëshuar një sinjal të qartë, në radhë të parë, qytetarëve shqiptarë dhe, në radhë të dytë, Brukselit, se të paktën në këtë çështje politika shqiptare është e bashkuar. Ministri Basha takohet me të zgjedhurit vendorë “Qeveria, vullnet për reforma decentralizuese” Ministri i Brendshëm Lulzim Basha priti dje në një takim një përfaqësi të Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë. Në takim u diskutua mbi procesin e decentralizimit të pushtetit vendor bazuar edhe në parimet e Kartës Europiane të Autonomisë Vendore, si dhe mbi masat e marra nga qeveria për vijueshmërinë dhe suksesin e këtij procesi. Duke theksuar se arritjet e katë viteve që shkuan në kuadrin e reformave decentralizuese janë shumë inkurajuese, Ministri Basha siguroi përfaqësuesit e Shoqatës së Bashkive se Ministria e Brendshme, ashtu si deri më tani, do të jetë zëri i autoriteteve vendore në qeverisjen qendrore për të vijuar reformat decentralizuese, të cilat kanë qenë dhe mbeten prioritet i qeverisë Berisha. “Ka pasur një vullnet të qartë nga ana e qeverisë, përkthyer jo vetëm në akte legjislative, rregullatore, por edhe në atë që është më e prekshme për qytetarët, një decentralizim real kompetencash dhe një decentralizim real financiar të padëshmuar më parë, por edhe nga ana tjetër kemi gjetur një gatishmëri dhe një kapacitet me të vërtetë të nivelit europian nga ju si partnerët tanë, për të absorbuar gjithë këtë proces, mbinormal për nga shpejtësia, të decentralizimit, për ta kthyer atë në një leverdi të prekshme për qytetarët”, u shpreh Ministri Basha. Basha renditi disa nga arritjet në kuadrin e decentralizimit të qeverisjes vendore, si uljen e nivelit të taksës për biznesin e vogël, trefishimin e fondeve qeveritare në harkun e tre vjetëve si fonde lokale e rajonale, programin kombëtar për investime lokale ku përfitojnë 100 për qind e njësive vendore, lejimin e disbursimit 12-15 herë të fondeve për investime në njësitë vendore, ngritjen e institucioneve të konsultimit permanent, krijimin dhe funksionimin e Grupit të Punës për Decentralizimin, transferimin e autoritetit fiskal për taksën e biznesit të vogël dhe disa taksave të tjera tek pushteti vendor, aprovimin e kuadrit ligjor të huamarrjes lokale, transferimin e pronave publike te pushtetit vendor etj. Ministri Basha shprehu vlerësim për faktin që pushteti lokal në tërësi i është përgjigjur me kujdes këtyre masave të ndërmarra nga qeveria dhe i ka përkthyer në avantazhe të prekshme për qyetarët, por nga ana tjetër solli në vëmendje faktin se ka pasur përpjekje për instrumentalizim të organeve të pushtetit vendor për qëllime politike, të cilat kanë çuar në keqpërdorim të kompetencave dhe avantazheve nga disa njësi vendore. “Si Ministër i Brendshëm kam vërejtjet e mia për përdorimin diskrecional të këtyre fondeve nga disa bashki, të cilat fatkeqësisht nuk janë kthyer në vepra për qytetarët, por janë kthyer në fryrje administrate, tre-katër deri pesëfishim të policisë bashkiake etj”, vijoi ai më tej. Ministri i Brendshëm Lulzim Basha siguroi përfaqësuesit e Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë se të gjitha projektet që kanë nisur do të vazhdojnë dhe të gjitha projektet e tjera, të përparësuara nga organet e pushtetit vendor si të nevojshme për cilësinë e jetës së qytetarëve, do të gjejnë përkrahje të plotë financiare në të gjitha skemat e financimit që kontrollon qeveria apo fondet e zhvillimit që qeveria ka vënë në efiçencë.

...

 Komente

Emri:
E-mail:
Komenti:
Kodi: Shkruani kodin qe shihni me larte...

 
Webmaster LJC-DESIGN   .:|:.   Editor Online: Leonard Quku