LAJMET KRYESORE

Miratohet pėrshpejtimi i procedurave pėr heqjen e vizave

10-03-2010 / Gazeta 55Miratohet pėrshpejtimi i procedurave pėr heqjen e vizave

Parlamenti Evropian ka përkrahur dje përshpejtimin e procedurës për marrjen e vendimit për vizat gjatë samitit të Sarajevës në qershor të këtij viti. Kalendari i ri është pranuar edhe nga komisionerja e Brukselit, e cila ka konfirmuar se s’ka asnjë pengesë për një axhendë të përshpejtuar në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian

Propozimi i Parlamentit Evropian për të përshpejtuar procedurat për liberalizimin e vizave për Shqipërinë dhe Bosnje Hercegovinën, ka marrë mbështetjen e komisioneres së BE për Çështjet e Brendshme dhe Drejtësinë, Cecilia Malmstrom. Parlamenti Europian diskutoi në seancën e djeshme plenare çështjen e heqjes së regjimit të vizave për qytetarët e Shqipërisë dhe Bosnjës. Vërejtjet e europarlamentares Tanja Fajon, për mënjanimin e çdo pengese në lidhje me liberalizimin e vizave për Shqipërinë kanë marrë mbështetjen e komisioneres për çështjet e brendshme në BE, Cecilia Malmstrom.
Gjatë debateve në Parlamentin Evropian, mbi një propozim të mundshëm dhe me procedura të përshpejtuara për liberalizimin e vizave, eurodeputetët shprehën qëndrimin e tyre ‘pro’ heqjes së çdo barriere penguese në lëvizjen e lirë. Debati kishte në qendër diskutimin dhe ndryshimet në rregulloren për Konventën e zbatimit të Marrëveshjes “Schengen”, ndërsa eurokomisionerja për çështjet e brendshme, Cecilia Malmstrom ka rënë dakord të shqyrtojë me përparësi çdo propozim që mund të bënte të pa nevojshëm zgjatjen e procedurave kohore, për lëvizjen e lirë të Shqipërisë dhe Bosnje Hercegovinës. Gjithashtu, konfirmohet se çështja e liberalizimit të vizave për Shqipërinë dhe Bosnjën do të jetë në qendër të takimit të europarlamentares Fajon me eurokomisionerin për zgjerim Stefan Fule.
Dy ditë më parë, kreu i Komitetit të të Drejtave Civile, Drejtësi dhe Çështje të Brendshme në Parlamentin Europian, Huan Fernando Lopez Aguilar i kërkoi Komisionit Europian të përshpejtonte procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Shqipërisë dhe Bosnjës.
Ndërkohë, dy ditë më parë, Ministri i Jashtëm italian Franco Frattini, rikonfirmoi liberalizimin e vizave për shqiptarët, brenda vitit 2010, ndërsa sipas tij, ky vendim pritet të merret në samitin e Sarajevës, në qershor të këtij viti.
Këtë deklaratë Frattini e bëri në Forumin Ndërkombëtar “Skenarët e zhvillimit në zonën Adriatik - Ballkan”, të zhvilluar nga rajoni i Friuli Venezia Giulia në Slloveni.
“Që Ballkani të arrijë një qëndrueshmëri përfundimtare, së pari Bashkimi Europian duhet të heqë vizat edhe për Shqipërinë e Bosnjën, së dyti, të analizojë kërkesat e vendeve që kanë aplikuar për anëtarësim në Bllokun 27-anëtarësh, se treti, t’i japë Kroacisë një sinjal politik duke mbyllur negociatat këtë vit, për një anëtarësim në BE në vitin 2011”, deklaroi Frattini.
Frattini tha se ky qëndrim i propozuar dhe promovuar nga Italia, do të diskutohet në muajin qershor në takimin e Sarajevës, së bashku me Presidencën spanjolle të BE-së.
Pak ditë më parë, në takimin e tyre në Cordoba të Spanjës, ministrat e Jashtëm të BE-së miratuan propozimin e Italisë dhe Spanjës për një takim të nivelit të lartë BE-Ballkan që do të mbahet në fillim të muajit Qershor në Sarajevë të Bosnjës.
Në deklaratën e hartuar nga Frattini dhe të firmosur edhe nga homologu spanjoll Migel Angel Moratinos thuhet se në konferenca e Qershorit do të shërbejë për të përforcuar të ardhmen europiane të vendeve të Ballkanit. Propozimi i dy ministrave bën të qartë përkrahjen e të dyja vendeve për përshpejtimin e integrimit europian të këtij rajoni.


PE, rregullore të re për liberalizimin e vizave  

Mbajtësi i një vize “Shengen”, udhëton lirisht në vendet e BE-së


Parlamenti Europian miratoi dje edhe një rregullore të re për vizat, e cila lehtëson lirinë e lëvizjes për qytetarët jokomunitarë. Rregullorja e miratuar në bazë të raportit të parlamentarit Carlos Coelho do të hyjë në fuqi më 5 prill. Rregullorja e re i lejon një shtetasi joeuropian mbajtës i vizave afatgjata, të tipit D, të udhëtojë në gjithë vendet “Shengen”, pavarësisht se në cilin shtet hyn fillimisht. Sipas rregullores së mëparshme një student p.sh.:, që studionte në Belgjikë, nuk mund të udhëtonte në Holandë qoftë edhe për të parë një bibliotekë. Ky kufizim tashmë hiqet. Megjithatë rregulli në fjalë nuk aplikohet për vendet jashtë “Shengen”, Britani, Irlandë etj. Parlamentarët thanë se liria e shtuar e lëvizjes nuk duhet të përbëjë rrezik për BE, pasi janë në funksion gjithë sistemet e kontrollit. Rregullorja në fjalë u miratua me 562 vota pro dhe 29 kundër e 51 abstenime. Ky rregull i mundëson shtetasit jo nga BE, që të qëndrojë tre muaj brenda një periudhe 6 mujore në të njëjtat kushte kur ka leje qëndrimi.

...

 Komente

Emri:
E-mail:
Komenti:
Kodi: Shkruani kodin qe shihni me larte...

 
Webmaster LJC-DESIGN   .:|:.   Editor Online: Leonard Quku