Në morinë e daljeve të panumërta të politikanëve të njohur e të panjohur në mediat e Tiranës, le t’u hedhim një vështrim të shkurtër tri deklarimeve pikante të tri figurave tashmë me peshë në rrjedhën zhvillimeve të fundit politike.
Së pari, të tërheq vëmendjen “pesimizmi” i thellë ku qenka kredhur Pandeli Majko. Duke u prononcuar tek një e përditshme e së hënës, ish-kryeministri na u shfaq tepër “pesimist”. “Pesimist” për dobinë e pjesëmarrjes së deputetëve opozitarë në komisionet e Kuvendit, “pesimist” për rezolutën e propozuar nga grupi parlamentar i deputetëve demokratë lidhur me inkurajimin e ekzekutivit për të shpejtuar liberalizimin e vizave, “pesimist” për zgjidhjen e kërkesave të PS-së lidhur me hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit, “pesimist” për votimin më 18 mars të nismës ligjvënëse të socialistëve për një ndryshim në kodin zgjedhor, “pesimist” për nismën e marrë nga Presidenti Topi lidhur me zgjidhjen e ngërçit politik, “pesimist” për këtë, “pesimist” për atë. Nëse e kam kuptuar drejt, “pesimizmi” i Majkos shkoi deri atje, sa qëndrimin e ndërkombëtarëve ndaj politikës së rrugës dhe kthimin e PS-së në jetën parlamentare, e këqyri si pengesë për zhvillimin normal të bisedimeve në tryezën e thirrur nga Presidenti. Më pesimizëm çapraz, zor se mund të imagjinohet. Gjithsesi, socialistin Majko kemi pasur rastin ta shohim edhe optimist. Së pari, kur përbetohej me lot në sy për besnikëri ndaj Fatos Nanos, ndërsa ky ndodhej në burgun e Bënçës, pastaj kur u bë Kryeministër, duke hapur për herë të parë në jetën e tij një librezë pune, më vonë kur i ktheu krahët Nanos e u lidh me Ramën etj. Nëse, tashmë është sulur në këtë rrugë të gjejë optimizmin e humbur, Zoti i shtoftë durimin.
Nuk mund të mbeten jashtë vëzhgimit edhe deklarimet e Paskal Milos, politikanit minor që përfaqëson gjysmën e atij pak elektoratit të shkëputur nga partia e Gjinushit, nëmos ca më pak. I pyetur dje nga një e përditshme, aleati i Ramës tha se nuk do të ishte e nevojshme paraqitja e deputetëve socialistë në seancën parlamentare kur do të diskutohet rezoluta e përmendur më sipër. Sipas Profesorit, “nisma është e mazhorancës” dhe “mazhoranca i ka numrat e nevojshëm” për ta votuar. Pastaj, duke hyrë në qorrsokak, është apo nuk është për një rezolutë të votuar prej gjithë spektrit politik shqiptar, Milo na thotë se Partia Socialiste dhe opozita “nuk janë kundër liberalizimit të vizave, përkundrazi, sa më shpejt të bëhet liberalizimi i vizave, aq më shumë do të përfitojnë shqiptarët”. Lajthitja apo kllapi? As njëra, as tjetra. Milo është në terrenin e vet politik, në atë të rikthimit me çdo mjet në ndonjë karrige qeveritare. Pozicioni i tij shkon pak a shumë paralel me “pesimizmin” e Majkos.
Kësisoj, si njëri, si tjetri bien, dashur ose padashur, në kurthin e politikave antishqiptare, nëmos - ruana Zot! – janë të ndërgjegjshëm për atë çka bëjnë. Çështja është shumë e thjeshtë: nëse “Partia Socialiste dhe opozita” qenkan për liberalizimin e vizave, atëherë pse gjithë ky pesimizëm? Pse rezoluta të kalojë vetëm me votat e mazhorancës? Shqiptarëve, por edhe miqve të tyre të huaj, u vret sytë një parlament me pamje gjysmagjeli. Përkundrazi, qarqet antishqiptare do ta komentojnë ashtu siç është: politikanët tanë janë ndarë më dysh lidhur me integrimin e vendit në BE. Do të ishte me vend, pra, t’u kujtonim dy politikanëve të opozitës, të mos bëjnë lojën e atij që hedh gurin dhe fsheh dorën, nëse aq shumë ua paska ënda që shqiptarët të lëvizin sa më shpejt pa viza në zonën “Shengen”.
Ja edhe një hap i pritur prej kohësh i Presidentit Topi, lidhur me zhvillimet më të fundit.
Shtypi i djeshëm bënte me dije se Presidenti u ka kërkuar forcave politike të dalin nga debati politik i ditës dhe të mendojnë për Shqipërinë e shqiptarët. Në mënyrë të veçantë, u ka bërë thirrje deputetëve socialistë, të votojnë projekt-ligjet, pjesë e reformës në drejtësi, “si shumë e rëndësishme në rrugën integruese” të Shqipërisë në familjen evropiane. “Ju siguroj, ka thënë zoti Topi, se institucioni i Presidencës nuk mund të mbetet dipendent i vullneteve politike për çështje të caktuara”.
Lëvizja politike e Presidentit, kësaj here me vend dhe në kohën e duhur, ngjan me një sinjal alarmi. Koha nuk pret të marrë fund loja me “ta lashë”. Le t’i kalojmë hë për hë çështjet procedurale, të cilat e detyrojnë institutin e presidencës të respektojë Kushtetutën, dhe le të shohin thelbin e çështjes. Tashmë, kur vullneti politik i opozitës për t’u bërë pjesë e forcës lëvizëse të Shqipërisë drejt Perëndimit është zero, po të mos marrim parasysh ca deklarime fluide si ato të Milos, opinioni pret një veprim konkret nga ana e zotit Topi. Koha, sa vjen, po shkon drejt limiteve të mundshme të pritjes.
Në këtë kontekst, sa për të prurë një shembull të ngjashëm dhe tepër domethënës, po i kujtoj lexuesit qëndrimin që mbajti Presidenti i Italisë, Napolitano, lidhur me listat zgjedhore në regjionet e Lombardisë dhe të Lacios. Që të mos mbeteshin miliona italianë pa votuar në zgjedhjet e ardhshme vendore, për shkaqe thjesht burokratike, Napolitano gjeti shtegun e mundshëm kushtetues, që të firmoste dekret-ligjin e qeverisë, “për shpëtimin e listave”. Koha nuk priste, ndërse bëhej fjalë për gjysmën e elektorateve në regjionet përkatëse. Po kur fjala është për reformat që do t’i afrojnë shqiptarët, pa përjashtim, me familjen e vendeve demokratike të Europës?
|  Komente |