Dy organizata terroriste botërore si FARK-u kolumbian dhe ajo ETA baske kishin planifikuar disa sulme në Spanjë. Kësaj radhe me pjesëmarrjen direkte në financime të presidentit të Venezuelës, soc-komunistit Hugo Chávez. Por a e kishin vënë re këtë autoritetet spanjolle? Po. Gjurmimi fillon nga larg, dhe akti i hetimit të parë ka filluar pothuajse dy vjet më parë. Më 27 shkurt 2008, kur Presidenti i Venezuelës Hugo Chávez i telefonoi Raul Reyes, numrit dy (dhe mendja ideologjike) e FARK-ut, ushtria komuniste ilegale vijonte luftën guerile prej dekadash kundër qeverisë së Kolumbisë.
Afërmendsh, telefonata ishte prova e parë e pasjes së një kontakti të drejtpërdrejtë midis presidentit/diktator të Venezuelës dhe lëvizjes marksiste kolumbiane FARK, e cila tashmë është përfshirë në listën e zezë të organizatave terroriste, si në SHBA, po ashtu edhe në BE, si përgjegjëse kryesore për Narko-Trafikun që kalon nga Karaibet amerikane. Gjithashtu, telefonata pati një efekt shumë negativ për organizatën FARK. Ajo lejoi identifikimin e strehës së komandantit komunist Raul Reyes, një vendndodhje veç dy kilometra larg kufirit kolumbian, në territorin e Ekuadorit, një vend i sunduar nga Rafael Correa, gjithashtu shumë i afërt me qarqet marksiste.
Më 1 mars, forcat speciale dhe policia kolumbiane, duke kaluar kufirin, sulmuan bazën e Reyes duke e vrarë udhëheqësin marksist, pas një beteje të shkurtër, por të ashpër. Ndër objektet e gjetura në shtëpizën e tij, u sekuestruan edhe dy kompjuterë laptopë. Zyrtarisht, pas kësaj ngjarje, ne pamë një Chavez të zënë ngushtë, i cili në ditët në vazhdim, komentoi: “Tani ata (kolumbianët) kanë një armë të fshehtë, një kompjuter, PC-në e dyshuar të Raul Reyes. Ky kompjuter është si ushqimore ose restorant: doni një
biftek? Ose peshk të freskët? Si dëshironi të përgatitet? Nga ky kompjuter ju mund të gjeni çdo gjë që vendosin imperialistët”. Ironia e Hugo Chavez ishte e motivuar nga një fakt shumë i thjeshtë: folderat e gjetur në kompjuterin portativ të Reyes e emëronin atë si një kontakt, si furnizues armësh dhe madje edhe bashkëfajtor në trafikun e drogës. Bash ky motiv ka sjellë që në shtator të 2008, departamenti i Thesarit të SHBA-ve të përfshijë në listën e vet të zezë tre zyrtarë të lartë të Venezuelës.
Mirëpo hard-disqet e kompjuterëve të Reyes përmbajnë të dhëna të vyera për autoritetet spanjolle, mjaft me vlerë për të kuptuar kontaktet jashtë vendit, si dhe transfertat e parave, sidomos itineraret e trafikimit të drogës, si edhe aleatët e FARK-ut në Evropë.
Prej aty filloi edhe hetimi në Spanjë, rreth planeve të organizatave terroriste FARK dhe ETA (lëvizjes separatiste baske) për planifikimin e sulmeve në Evropë.
Dhe dy organizatat terroriste ishin të sponsorizuara nga Venezuela e Hugo Chávez.
Pra është e qartë se ndikimi i presidentit/diktator të Amerikës Latine, shtrihet në
kontinentin e vjetër nëpërmjet këtyre organizimeve ilegale.
Natyrisht kjo është çka kemi lexuar në akt-akuzën e Eloy Velasco, prokurorit spanjoll, i cili merret me gjashtë të pandehurit e ETA-s dhe shtatë të FARC-ut. Kemi dëshmi që "...demonstrojnë bashkëpunimin dhe kooperimin e Venezuelës me aktivitete të paligjshme" të dy grupeve terroriste. Një aleancë me rrënjë në ideologjinë marksiste-leniniste, e cila u nënshkrua në vitin 1993 nga personi referent (anëtar i ETA), Arturo Cubillas Fontan, me banim në Venezuelë dhe që punonte për qeverinë e Chavez. Terroristi Fontan ka pasur si detyrë “të koordinonte marrëdhëniet mes ETA dhe FARK-ut, duke u mundësuar anëtarëve të ETA-s të merrnin pjesë në kurse për përdorimin e
eksplozivëve dhe për trajnimin në luftë urbane”. Dy anëtarë të organizatës terroriste FARK janë akuzuar për komplot, si për planifikimin e një atentati të mbetur në tentativë kundër ish-presidentit kolumbian Andres Pastrana, si për një atentat kundër ambasadës së Kolumbisë në Spanjë. Më vonë, lista e këtyre objektivave u përditësua dhe u zgjerua, duke përfshirë edhe atentate ndaj presidentit aktual Alvaro Uribe. Presidenti Venezeluan, Hugo Chávez, kuptohet vetiu, mohoi çdo kontakt dhe ka premtuar të hapë një hetim.
Por vazhdimësia do të jetë interesante për të parë sa shtigje të tjera hetimi mund të hapen nga kompjuteri i Raul Reyes. Merret me mend se Spanja nuk është i vetmi vend i prekur nga lufta guerrile dhe terrorizmi i FARK.
|  Komente |