OPINION

Ben Blushi pėrballė hutimit letrar

10-03-2010 / Nga Lavdrim Lita

Çuditërisht në librari romanin e Blushit e gjeta midis emrash të mëdhenj të letërsisë botërore. Habia më shtohej kur pashë se ishte vetëm një kopje, kurse romanet e nobelistëve kishin bërë një mur kështjelle të pluhurosur, të paprekur krejt nga dora e njeriut. Ankthi për ta konsumuar edhe unë këtë libër më shtohej furishëm. Mirëpo kur pyeta një nga “stjuardesat” e librave, më tha se ishte një gabim, një gabim që libri ndodhej në atë sektor. Një vajzë e vockël duke parë shaminë e qepur në kopertinë kishte
dashur ta merrte me vete, por me ta parë e ëma, libri ishte lënë në azil-kërkues afër sektorit të Nobelit. Gabimi është njerëzor. Më pas një tjetër fëmijë e kapi në praninë time këtë masë fletësh të nxira, që vetëm kopertinën kishte interesante. Dy të dhëna bëjnë një indicie: libër për fëmijë ky “Otello, Arapi i Vlorës”?.
Si lexues mund të them se nuk më pëlqeu, ndoshta sepse tashmë nuk më emocionon më një letërsi me pretendime midis fabulës alegorike dhe dijes pre-sokratike. Ka njerëz që
besojnë se gjithmonë të shkruarit përkthehet - konvertohet - automatikishit në valutën e dijes. Por nuk është kështu, edhe pse nuk është mëkat. Gjykoj se një shkrimtar “duhet” t’i përmbahet rrëfimit dhe jo t’i rrëfejë pa drojë njohuritë eklektike që i ka marrë nga ndonjë broshurë “Generaly turist” mbi Venecian apo Vlorën.
Nevojitet një hetim në skutat e qyteteve për të zhbiriluar mozaikun që fsheh bukuritë e të shkruarit. Edhe pse Blushi sapo ka nisur të shkruajë “letërsinë e madhe”, ai e ka kandisur veten të kultivojë një lloj letërsie sofiste, me tym hashashi. Të ngjan se përpin fletë cigareje, por në të vërtetë tymosesh me gjethe toksike.
Sadakaja e çmimeve kombëtare për letërsinë shqiptare paraqitet si kapaku i një tenxhereje që e ka bërë çorbë letërsinë shqipe. Romani i Blushit e mori çmimin “Petro Marko” me motivacionin: "Për aftësinë e ndërthurjeve rrëfimtare dhe për një këndvështrim të ri në romanin shqiptar”, çka tregon se vlerësohet kryesisht aftësia për të shkruar sa më shumë citate në një libër sesa përfaqësimi i universales përmes zbërthimit të një ngjarjeje lokale.
Duke i qendruar kësaj hullie, është interesante ta shtyjmë analizën rreth mekanizmit që ndërton aksionin e të shkruarit të politikanit-shkrimtar. Letërsia është një gjetje e instinktit për t’u përfaqësuar në realitet, por tek Blushi i plotfuqishëm është vetëm racionaliteti, vetëm ai i pasaportizon instinktet. Personazhet e Blushit nuk lëvizin për “deus ex machina”, por sepse janë pjesë e një kalkulimi që prodhon një aksion të kërkuar në hapësirë. Romani i Otellos së Blushit nuk flet për dashurinë, por për hutimin që krijon dashuria, ç’ka shfaqet si e vetmja arsye shpjeguese se përse një lexues duhet të harxhojë 1 mijë lekë për të mësuar hutimin emocional, irracional e maniakal që prodhon fenomeni i “dashurisë. Në mënyrë sintetike, ingredientët e romanit janë të cilësisë së dobët, produkt i prodhimit vendas. Alfabetizimi emocional në këtë libër nuk funksionon, sepse shijet e demiurgut janë jo serioze. Elementi femëror i gërshetuar me dalldinë erotike nuk e prodhon atë shkrepëtimën që do prodhonte paciptësinë që kërkohet.
Mungon metafora. Edhe predikimi libresk për anti-racizmin ndërtohet në meta-citimin e personazhit të Obamës si përfaqësues i Afrikës së zezë, negroide. Shitja e skllevërve në portet e Pushtuesve ka qenë dikur një aksion bruto me zinxhirë, kurse sot shfaqet në formën soft, me lekë. Këtë Blushi nuk e ka hulumtuar. Nejse, nuk i kërkohet të mendojë, por të nxijë faqet e bardha. Topografia e dy qyteteve që lagen nga i njëjti det, Adriatiku, me dy porte aq shumë të ndryshme si Venediku dhe Vlora mbetet akoma mister për këtë roman. Qyteti i Venedikut në shekullin XIV ishte një fuqi e jashtëzakonshme marinare, që kishte brenda saj një galaksi personazhesh. Kurse Vlora është në ton minor pasi ishte vetëm një mol për pushtuesit e radhës. Mirëpo shkrimtarit Blushi nuk intereson të kuptojë shpirtin e dy qyteteve, por të rrëfejë sikur të ishte një kronikë mesjetare intrigat e pushtetit që rrezatonin të mirat dhe këqijat e një qyteti bregdetar. Pas kësaj, nën rreshtat e këtij romani nuk ka asgjë, sepse gjithçka është në sipërfaqe, ç’ka e bën romanin sipërfaqësor, të përciptë edhe në qëndisjen e personazheve.

...

 Komente

Ben Blushi një shklrimtar i njohur, është dëm të shkoi hapave të një arroganti të madh që njeh shqiptaria sot..
Postuar nga de martin ne daten 11-03-2010

Emri:
E-mail:
Komenti:
Kodi: Shkruani kodin qe shihni me larte...

 
Webmaster LJC-DESIGN   .:|:.   Editor Online: Leonard Quku