Reagon eksperti i BERZH-it për stabilitetin e ekonomisë shqiptare
Një ekonomist i lartë në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim thotë se në kundërshtim me mendimin e përgjithshëm se kriza ekonomike globale nuk do të ndikonte aq rëndë në vendet e Evropës juglindore, u pa qartë se ky rajon pësoi një tronditje të madhe. Por ekonomisti, Peter Sanfey thotë se rajoni reagoi me maturi ndaj krizës, “ndoshta më mirë se sa pritej”. Ai thotë se Shqipëria duket se e ka kaluar relativisht e paprekur krizën, duke arritur rritje ekonomike pozitive në vitin 2009, ndryshe nga ekonomi më të fuqishme të rajonit, si p. sh.:, Rumania. Duke sqaruar performancën e tillë ekonomike për Shqipërinë, Peter Sanfey argumenton se, “’Shqipëria ka bërë një rrugë të gjatë 6, 10 apo 15 viteve të fundit sa i përket instalimit të institucioneve më të mira dhe më të forta. Ka pasur politika makroekomike të përgjegjshme, të forta dhe të kujdesshme si dhe politika monetare dhe ekonomike të tilla, dhe këto po japin rezultate kur vjen puna tek ritmet e rritjes ekonomike. Në Shqipëri si edhe gjetkë, ka një kufi veprimi për qeveritë, për të nxitur rritjen ekonomike. Por ajo që mund të bëjnë ato është krijimi i kushteve të nevojshme, kur vjen fjala për menaxhim e duhur në fushën fiskale, plus që bankat qendrore kanë një rol të rëndësishëm për të luajtur për mbajtjen ulur të inflacionit. Dhe mendoj se ata e kanë bërë këtë shumë mirë”, shtoi më tej , Peter Sanfey. Në këshillën e tij, se si Shqipëria, mund ti shpëtojë ndikimit të krizës së ekonomisë greke, si vend fqinj, Peter Sanfey u shpreh se, “Shqipëria dhe vendet e tjera në rajon duhet të fokusohen në të ardhmen afatmesme dhe afatgjatë, në sensin se si të avancojnë reformat strukturore, të përafrohen më shumë me Bashkimin Evropian, si të aplikojnë politika më konkurruese dhe si të zhvillojnë potencialet e vendit”.
...|  Komente |