Erdogan - Sulltani i parë i Turqisë moderne

Tuesday, 10 July 2018 07:02

Nga Duran Aram Ekin

Të hënën presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan bëri betimin si president. Erdogan ka tanimë më shumë kompetenca se asnjë lider tjetër turk në Turqi para tij. Pak para betimit pati një valë pushimesh nga puna

Pasi presidenti Erdogan bëri betimin në Ankara të hënën (09.07) Turqia kalon nga sistemi parlamentar në sistemin presidencial. Të dielën me dekret ai liroi nga detyra më shumë se 18.600 nëpunës të shtetit, mes tyre  9000 policë, rreth 6000 pjesëtarë të forcave të sigurisë dhe 199 akademikë. Ky është ndoshta dekreti i fundit para heqjes së gjendjes së jashtëzakonshme që pritet pas ngjitjes së tij në post.
Kanë kaluar 13 vjet që kur AKP dhe themeluesi i saj, Erdogan erdhën në pushtet. Fillimisht dukej sikur ishin vitet e demokracisë, lirisë së mendimit dhe paqes shoqërore. Por tani Turqia po i jep kompetenca të jashtëzakonshme një presidenti autoritar, me tendenca gjithnjë e më shumë islamiste dhe nacionaliste. Me shfuqizimin e funksionit kontrollues të parlamentit ai merr pushtetin e vetëm për të vendosur mbi ekzekutivin. E përmes kompetencës së përcaktimit të anëtarëve më të lartë të aparatit të drejtësisë, ai do mund të kontrollojë kështu edhe drejtësinë.
Pa krahasim me SHBA dhe Francën
Ersin Kalaycioglu nga Qendra Politike e Universitetit Sabançi të Stambollit thotë se nuk është ende e qartë, si do të ndryshohet sistemi. "Deri më tani sistemi i ri është diskutuar me ne vetëm në vija të trasha. As opinioni publik dhe as studiuesit nuk i njohin detajet."
Erdogan ka përsëritur shpesh se edhe demokraci të tjera kanë sistem presidencial. Por sistemi presidencial i Turqisë ndryshon nga ai francez apo amerikan. Kështu për shembull në SHBA presidenti nuk e ka kompetencën të shpërbëjë kongresin. Erdogan mund ta bëjë këtë dhe të shpallë zgjedhje të reja. Në Francë i përcakton parlamenti anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, në Turqi përkundrazi i merr presidenti vendimet që prekin këtë gjykatë të rëndësishme.
Studiuesja Ersin Kalaycioglu kujton tiparet autokrate të sistemit presidencial në Turqi. "Si në sistemin amerikan ashtu edhe atë francez kemi një shoqëri të mirëformuar civile. Këtë ne nuk e kemi."
Po ashtu Erdogani në të ardhmen mund të operojë edhe me dekrete presidenciale. Deri më tani ai lejohej ta bënte këtë vetëm në kuadër të gjendjes së jashtëzakonshme. Por tani Erdogani mund ta minojë në çdo kohë judikativen. Duket e pamundur që të funksionojë një sistem i pavarur dhe jo partiak i drejtësisë. Sipas politologut turk, Dogu Ergil ndarja e pushteteve dhe pavarësia e drejtësisë, kaq të rëndësishme për demokracinë janë faktikisht të shfuqizuara me sistemin e ri.
Rreziku ultranacionalist
Ende nuk dihet, nëse aleanca që Erdogani mbylli me partinë nacionaliste, MHP do t'i shtojë tensionet në vend. Shumë vetë mendojnë, se qëndrimi i ashpër i MHP sidomos në çështjen kurde dhe refuzimi i disa vlerave demokratike, do të krijojë një atmosferë edhe më nacionaliste në Turqi. Erdogan ka nevojë për MHP për të siguruar shumicën në parlament. Kjo mund të kthehet në pengesën kryesore për zgjidhjen e problemit kurd dhe afrimin e Turqisë më Bashkimin Europian.
Interes të madh paraqet edhe e ardhmja e zhvillimit të marrëdhënieve me Perëndimin. Në vitin 1999 Turqia ka shtruar zyrtarisht kërkesën për anëtarësim në BE, në 3 tetor 2005 filluan negociatat. Por në 13 vitet e fundit nuk është arritur ndonjë progres për t'u shënuar. Dhe me shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme para dy vjetësh, ato faktikisht janë ndalur.
Kriza e re Turqi-SHBA
Kati Piri, raportuese e Parlamentit Europian për Turqinë është shprehur për një ndalimin zyrtar të negociatave të anëtarësimit. Në një kohë që marrëdhëniet BE-Turqi rrezikojnë të ngrijnë, një krizë tjetër është shfaqur edhe në marrëdhëniet me SHBA. Ka disa pika që i rëndojnë ato: Fetullah Gülen, që bëhet përgjegjës për puçin ushtarak nga Erdogan jeton në SHBA. Uashingtoni punon me krahun e armatosur kurd të Sirisë, YPG, por që nga Turqia shihet si organizatë terroriste. Turqia po ashtu kërkon të blejë raketa S-400 nga Rusia, megjithë anëtarësinë në NATO. Të gjitha këto çështje i kanë futur në qorrsokak marrëdhëniet SHBA-Turqi.
Politologu Dogu Ersil i referohet edhe një sondazhi të fundit në Turqi: Sipas tij, SHBA është në Turqi më e papëlqyer se në Iran. Në shoqëri po përhapet një qëndrim gjithnjë e më armiqësor ndaj SHBA dhe BE, thotë Ergil, pavarësisht politikës së Erdoganit.

Modifikuar më Tuesday, 10 July 2018 07:04

Lini komentin tuaj!

Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me fshirjen e komentit tuaj.

Lajmet e fundit

Facebook nuk do të ofrojë më staf në fushatat politike

Globi

Facebook nuk do të ofrojë më staf në fushatat politike

Facebook nuk do të dërgojë staf për të punuar në zyrat e fushatave politike gjatë zgjedhjeve, ka njoftuar kompania. Rrjeti social ofronte staf të përkushtuar për fushatat politike duke i ndihmuar...

Instagrami vs. Realiteti: Fotot perfekte janë gënjeshtër e madhe

Lifestyle

Instagrami vs. Realiteti: Fotot perfekte janë gënjeshtër e madhe

Ne të gjithë jemi familjarë me fotot perfekte të Instagramit, të cilat gjithmonë duken shumë të bukura për të qenë të vërteta. Ne nuk jemi gjithmonë të veshur bukur dhe...

Kjo tortë e shijshme i ka vetëm tre përbërës

Shëndeti

Kjo tortë e shijshme i ka vetëm tre përbërës

A dëshironi të pregatisni një ëmbëlsirë të shijshme, që njëkohësisht të jetë e lirë dhe jo më shumë përbërës? Mendoni se është ve vështirë, apo më keq akoma, e pamundur? Atëherë...